Pacientët që i nënshtrohen trajtimit në spitalet psikiatrike në Japoni kufizohen fizikisht shumë më shpesh sesa në vendet e tjera, zbulon një anketë ndërkombëtare, një situatë që një nga autorët kryesorë e cilësoi si "anormale".
Raporti i pacientëve të lidhur në shtretërit e tyre me rripa të posaçëm ishte 580 herë më i lartë në Japoni sesa në Australi dhe 270 herë më i lartë se në Shtetet e Bashkuara, tregon një hulumtim i përbashkët nga Toshio Hasegawa, një profesor i psikiatrisë në Universitetin Kyorin të Japonisë, dhe kolegët e tij.
“Gjetjet rikonfirmuan se institutet e shëndetit mendor në Japoni përdorin një lloj kujdesi që varet shumë nga kufizimi fizik”, tha Hasegawa. “Para së gjithash, duhet të pranohet se pacientët kufizohen në mënyrë anormale shpesh krahasuar me shtetet e tjera. Kjo sigurisht që kërkon një shqyrtim të plotë të mënyrës se si trajtohen pacientët në qendrat psikiatrike të Japonisë.”
Gjetjet u botuan në revistën ndërkombëtare psikiatrike Epidemiology and Psychiatric Sciences.
Shkencëtarët në Japoni, Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Zelandën e Re shqyrtuan të dhënat e disponueshme nga viti 2017 në secilin komb dhe krahasuan numrin e pacientëve të kufizuar fizikisht çdo ditë në spitalet psikiatrike në ato katër vende.
Informacioni mbi shëndetin dhe mirëqenien emocionale, i publikuar çdo vit në Japoni, zbuloi se 98.8 pacientë për milion banorë ishin të kufizuar çdo ditë.
Institucionet për pacientët me demencë u përjashtuan nga vlerësimi, pasi praktika e Japonisë për shtrimin në spital të rasteve të tilla ndryshon nga vendet e tjera.
Në Australi, 0.17 pacientë për një milion njerëz ishin të lidhur në shtretër, sipas gjetjeve. Në Shtetet e Bashkuara, shkalla ishte 0.37.
Edhe pse anketa nuk krahasoi saktësisht të njëjtat grupmosha, Japonia ishte shumë përpara Zelandës së Re në kufizimin e pacientëve.
Ndërsa në Zelandën e Re, 0.03 pacientë u mbajtën të kufizuar për një milion njerëz të moshës 15 deri në 64 vjeç, shkalla për japonezët e moshës 20 deri në 64 vjeç ishte 62.3, më shumë se 2,000 herë më e lartë.
Shpeshtësia e kufizimit të pacientëve ndryshonte në zona të ndryshme të secilit vend që mori pjesë në anketë.
Në Japoni, raporti i kufizimit varionte nga 16 në 244 pacientë, varësisht nga prefektura.
ASNJË ALTERNATIVË?
Praktika e Japonisë për të mbajtur pacientët nën kufizim për periudha të gjata ka tërhequr prej kohësh vëmendjen.
«Pacientët shpesh kufizohen fizikisht, megjithëse numri i psikiatërve për popullsi nuk është aq i vogël krahasuar me vendet e tjera», tha Hasegawa. «Kjo ndoshta për shkak se qendrat psikiatrike kanë më shumë shtretër sesa vendet e tjera, duke çuar në më shumë pacientë të shtruar në spital».
Sipas ligjit të shëndetit mendor dhe mirëqenies në Japoni dhe rregulloreve të tjera, mjekët e caktuar të shëndetit mendor mund të përdorin kufizimin e pacientëve nëse dallojnë mundësinë që pacientët të përpiqen të kryejnë vetëvrasje ose të lëndohen, tregojnë shenja hiperaktiviteti dhe shqetësimi ose rrezikojnë jetën e pacientit nëse nuk ndërmerret asgjë.
Përdorimi i metodës është i kufizuar në rastet kur nuk ka mjete të tjera në dispozicion.
Praktika e kufizimit të pacientëve është kritikuar për privimin e individëve nga liria e tyre për të lëvizur dhe dëmtimin e dinjitetit të tyre, duke bërë që shumë institucione mjekësore të punojnë për të gjetur mënyra të tjera.
Megjithatë, ekziston një tendencë e rrënjosur thellë midis ofruesve të kujdesit shëndetësor në Japoni për ta konsideruar metodën si "thelbësore për të siguruar sigurinë", duke përmendur mungesën e personelit në qendrat mjekësore dhe arsye të tjera.
Më shumë se 10,000 pacientë u mbajtën të lidhur në mënyrë që të mos mund të lëviznin në qendrat psikiatrike në Japoni në vitin 2019, sipas një ankete të ministrisë së shëndetësisë të kryer në fund të qershorit të atij viti.